Arsimi dhe Formimi Profesional në Shqipëri po merr rolin dhe vëmendjen e duhur jo vetëm nga partnerët e përfshirë në të, por edhe nga ofruesit dhe përfituesit e AFP-së. Për t’i dhënë AFP-së rëndësinë e merituar, që në datën 1 mars 2007 ka filluar veprimtarinë e saj Agjencia Kombëtare e Arsimit dhe Formimit Profesional (AKAFP). Themelimi i saj u mbështet në Vendimin 273 të Këshillit të Ministrave të vitit 2006. Agjencia ka në ngarkim detyrat kryesore institucionale që kanë të bëjnë me AFP-në, si p.sh. skelet-kurriklulat, listën e profesioneve, standardet e trajnimeve të mësuesve, vlerësimin dhe certifikimin e nxënësve, akreditimin e ofruesve të AFP-së, etj.
Nëpërmjet veprimtarisë së kësaj Agjencie Kombëtare synohet t’i jepet AFP-së një zhvillim i mëtejshëm në vendin tonë, kryesisht në drejtim të institucionalizimit dhe rritjes së cilësisë së arsimit dhe formimit të ofruar. Agjencia do të ndeshet sigurisht edhe me problemet që has vetë arsimi profesional në Shqipëri, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e dobëta midis AFP-së dhe tregut të punës apo edhe mungesës efektive të partneritetit në këtë fushë. AKAFP-ja do të bëjë çdo përpjekje që t’i kapërcejë këto barriera dhe të sigurojë dialog më të frytshëm dhe më aktiv në të gjitha nivelet. Qëllimi ynë është që të ndjekim hap pas hapi zhvillimet dhe zbatimin e programeve të AFP-së: të garantojmë integrimin e arsimit dhe formimit profesional duke e përshtatur atë me nevojat e reja për procesin e të mësuarit gjatë gjithë jetës.
Agjencia ka pasur dhe do të ketë partnerë seriozë në përmbushjen e objektivave të saj për AFP-në.
Donatorët dhe bashkëpunëtorët e grupi DACH+ kanë dhënë një ndihmesë të madhe në reformat e AFP-së.
Përveç projekteve CARDS të financuar nga BE-ja, partnerët tanë aktivë janë KulturKontakt nga Austria, SwissContact nga Zvicra, PARSH dhe BiBB nga Gjermania, etj.
Ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se zhvillimi i AFP-së në Shqipëri në përputhje me standardet e kërkuara evropiane, është një përgjegjësi e madhe po aq sa është edhe sfidë profesionale për të gjithë stafin e AKAFP-së. AKAFP-ja ka marrë përsipër këtë mision, duke ofruar transparencë të plotë në punën e saj për të çuar AFP-në e Shqipërisë në një tjetër nivel, duke mundësuar një cilësi më të lartë të shërbimeve profesionale.

 
Te rejat e fundit
Studime
Botime

Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve
Rr. "Naim Frasheri", Nr.37, Tiranë

Tel: 042-237-087
Fax: 042- 223-795
Email: